Gjykata e Madridit pranon apelin, Lucas Hernandez i shpëton burgut



Gjykata e Madridit pranon apelin, Lucas Hernandez i shpëton burgut

22:34 27/10/2021

Lajme shumë të mira për Bajern Mynih dhe kombëtaren franceze të futbollit. Mbrojtësi Lucas Hernandez nuk do të shkojë në burg. Ai ishte dënuar në Spanjë me gjashtë muaj burg për moszbatim të masës së sigurisë pas një dënimi për dhunë në familje. 

Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Madridit, në prag të afatit të caktuar nga gjykata për hyrjen vullnetare në burg të lojtarit, la në fuqi ankesën për pezullimin e dënimit: “Ne besojmë se ankimi duhet të lihet në fuqi dhe se ekzekutimi duhet të pezullohet ndaj Lucas Hernandez”, thuhet në vendimin e drejtësisë spanjolle.

Pezullimi i dënimit është për një periudhë prej katër vjetësh, me kusht që Hernandez të mos kryejë ndonjë krim të ri gjatë kësaj periudhe si dhe një gjobë prej 96,000 Euro. Çështja që përfshin 25 vjeçarin daton në vitin 2017 kur, si lojtar i Atletico Madridit, ai u dënua për një rast të dhunës në familje. 

Ai dhe partnerja e tij Amelia Lorente u dënuan të dy me 31 ditë shërbim në komunitet. U vendosën gjithashtu urdhra kufizues, duke mos lejuar që Hernandez dhe Lorente të ishin 500 metra nga njëri-tjetri. Dyshja u martuan më vonë dhe Hernandez u arrestua për thyerjen e urdhrit të tyre të ndalimit kur ata u kthyen në Evropë nga muaji i mjaltit në Shtetet e Bashkuara.

Klan News








Të ngjashme