Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Laert Haxhiun, të akuzuar për atë që njihet si “Masakra e Lushnjes” në shtator të 2017, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci. Në vendimin e saj gjykata thotë se Haxhiu duhet ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Ndërkohë rreth dy javë më parë Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor Laert Haxhiun dhe ta dënojë atë me burgim të përjetshëm si autori kryesor në atë që njihet si masakra e Lushnjës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në vitin 2017.
Haxhiu mbahet i arrestuar në Greqi prej rreth një viti. Nga ana tjeter autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e Haxhiut që rezulton i përfshirë edhe në ngjarje të tjerë kriminale.
Laert Haxhiu së bashku me Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin, të dënuar me burgim të përjetshëm, akuzohen për “Masakrën e Lushnjes”, ngjarje ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme, objektivi i autorëve ishte Xhuljo Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili ishte kthyer në Shqipëri një ditë para këtij krimi. Por pak çaste para ngjarjes, ai u shkëput nga shokët dhe shkoi për tu qethur, duke i shpëtuar kështu atentatit.
I gjithë krimi ndodhi për 32 sekonda. Sipas konkluzioneve të prokurorisë, ishin 3 autorët, por vetëm 2 prej tyre qëlluan me breshëri nga makina.
Shkak për ngjarjen e Lushnjes, u bë një konflikt i vjetër që familja Haxhiu kishte me familjen Bare. Banda e Aldo Bares i dogji banesën xhaxhait të Laert Haxhiut, për këtë shkak, ky i fundit vendosi të hakmerret. Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi dhe pritet vendimi i gjykatës së Apelit nëse do të ekstradohet në Shqipëri./tvklan.al