Përvetësoi 15 milionë Euro përmes mashtrimit me Call Center
Gjykata e Posaçme la në burg pa afat Mendim Domin, i cili akuzohet nga SPAK, si një nga personat kryesor të një skeme mashtrimi me anë të Call Center-ave, goditur në dhjetor të 2022 në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Domi, i cili ra në pranga disa ditë më parë, dyshohet se në bashkëpunim edhe shtetasin tjetër Jusel Mici dhe të tjerë, si pjesë e një grupi kriminal kanë arritur të përvetësojnë nëpërmjet mashtrimit 15 milionë Euro.
Të mashtruar rezultojnë të jenë kryesisht shtetas italianë, por gjatë kohëve të fundit aktivitetet e tyre të Call Center-ave kishin zgjeruar veprimin e tyre edhe në Gjermani dhe Spanjë.
Nëpërmjet telefonit ata bindnin qytetarët europianë të investonin në bursa inekzistente, me premtimin se do të merrnin norma të larta fitimi.
Në Dhjetor Prokuroria e Posaçme sekuestroi gjithashtu edhe 11 pasuri të Domit dhe bashkëpunëtorit të tij.
Tv Klan