SPAK do të hetojë atentatin e mbetur në tentativë ndaj Gjon Menës

Gjykata e posaçme ka lënë në burg Gjergj Cukalin të njohur si i “Forti i Myslym Shyrit”, Enver Jamakun dhe Ermond Jamakun të dyshuar për atentatin ndaj Gjon Menës, ngjarja e ndodhur në 9 shkurt në Kamëz.

Prokuroria e kryeqytetit ka shpallur moskopetencën dhe dosja do të hetohet nga SPAK, pasi organi i akuzës në kryeqytet thotë se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal.

Gjatë zhvillimit të seancës në gjykatën e posaçme, avokatët e Cukalit, Alban Bengasi dhe Elton Hyseni kanë kërkuar nga togat e zeza që të shpallin moskopetencën, pasi i mëshojnë faktit që nuk kemi të bëjmë me grup kriminal. Po ashtu mbrojtësit e Cukalit kanë kërkuar masë më të butë sigurie.

Avokatët pretendojnë se thëniet e Enver Jamakut nuk mbështeten në prova shkresore dhe shkencore. Grupi hetimor gjithçka e ka zbardhur nga një kamer sigurie e cila ka filmuar makinën e autorëve të dyshuar duke u larguar me shpejtësi, pasi kishin shpërthyer minën me telekomandë.

Enver Jamaku që ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtëisë ka treguar se njihej prej vitesh me Gjergj Cukalin dhe se i kishte premtuar 30 mijë euro për te vrarë Gjon Menën. Enver Jamaku tregon se nuk ka dijeni për arsyen se përse Cukali kërkonte të eleminonte Menën. 

Ever Jamaku ndër të tjera ka thënse se ka marrë vetëm 3 mijë euro, pasi Cukali nuk i ka dhënë më tepër para sepse nuk e kishtë përfunduar punën. Tre të dyshuarit ndodhen prapa hekurave. Ndërsa Gjon Mena ka sqaruar në deklarimet e tij se nuk ka konflikt me askënd. Por ai ka qenë i dyshuar dhe është marrë në pyetje për vrasjen e Eri Zefit ngjarje e ndodhur në 2019 në Mirditë. 

Ndër të tjera Mena ka treguar se ai ka lidhje me Gjovalin Alian, i cili është në burg si i dyshuar për vrasjen e Eri Zefit. Grupi hetimor ka dyshime se Gjergj Cukali është paguar për të vrarë Menën.

Klan News