Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot kërkesën e ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Ky i fundit pak ditë më parë kërkoi që t’i shuhej masa e sigurisë “arrest në burg” pasi kishin kaluar të gjitha afatet ligjore.

Sipas avokatëve të Çelës, ai nuk duhet të qëndrojë më në burg dhe gjykata duhet të vendoste një masë tjetër sigurie.

Klan News raporton se këto pretendime nuk janë marrë në konsideratë nga gjyqtarët, të cilët kanë vendosur që të lënë ish-kreun e Policisë së Vlorës në burg.

Çela është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 3 vite e 4 muaj pasi akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, por nuk ka një vendim të formës së prerë dhe ish-polici vijon të jetë në paraburgim./tvklan.al