Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasurinë e mjekut kardiolog, Edvin Prifti, i cili është aktualisht në hetim pas emri i tij doli në dosjen kundër gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

SPAK kundër Priftit ka ngritur 2 akuza “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe gjykata ka vendosur një masë për pezullimin e tij nga puna.

Në një njoftim për mediat, SPAK sqaron se “falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë“.

Pas hetimeve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestro preventive mbi llogaritë bankare të mjekut Prifti, ku janë sekuestruar 51.479.368 Lekë dhe 177.497 Euro./tvklan.al