Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, fajtor për shpërdorim detyre

Gjykata e Posaçme shpalli fajtor ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” për abuzimet me karburantin dhe lejimin e një ndërtimi pa leje.

Ai u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg, dënim i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 2 vjet e 4 muaj heqje lirie. Tushes gjithashtu i ndalohet të angazhohet në funksione publike për 5 vite.  

Me 1 vit e 8 muaj burg u dënua zëvendësi i Tushes, Gentian Nushi për të njëjtat akuza. Një nga personat e tjerë të afërt të ish-kryebashkiakut, Flamur Peqini, u dënua me 2 vite burg.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga përgjimet dhe të dhënat e dala nga komunikimet në Whatsaap mes Tushes, nënkryetarit dhe zyrtarëve e personave të tjerë rezultonin biseda që lidheshin me orientimin për tenderat, lejimin e një qytetari të ndërtonte pa leje, si dhe abuzime me karburantin e bashkisë.

Ndërkohë për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera” fajtor u gjetën edhe 17 zyrtarë të tjerë të Bashkisë për të cilët u dënuan me jo më shumë se 2 vjet burgim.

Tv Klan