Akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames

Gjykata e Prizrenit ka  vendosur ekstradimin në Shqipëri të Indrit Taullaut i akuzuar si i përfshirë në dy atentate mafioze të 15 viteve më parë.

Ai u arrestua në Kosovë në Dhjetor të vitit të kaluar, pasi Prokuroria e Posaçme kishte lëshuar urdhër arresti si një nga personat që ka ekzekutuar Klodian Saliun si dhe ka organizuar vrasjen me tritol të Vjadin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhur në Shkurt të 2005-ës. Një tjetër person që është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të njëjtat akuza është edhe Plaurent Dervishaj.

Ky i fundit u arrestua në Dubai, ndërsa ende nuk ka një përgjigje zyrtare se kur do të ekstradohet drejt vendit tonë. Për shkak se mungon marrëveshja e ekstradimit mes dy vendeve, autoritetet shqiptare shpresojnë që të ndjekin parimin e reciprocitetit duke kryer shkëmbimin e të arrestuarve mes dy vendeve.

Pas 15 vitesh, SPAK rihapi këto dy dosje pas dëshmisë së Luftar Raçit që ka treguar edhe emrat e Lulzim Berishës, Indrit Taullait, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishajt, Indrit Rusit dhe Vikor Ymerit, si të përfshirë në këtë ngjarje. I vetmi person që vazhdon ende të jetë në kërkim është Lulzim Berisha, për të cilin ka dyshime se fshihet në Gjermani.

Tv Klan