Gjyqtarja Altina Xhoxhaj ankimoi shkarkimin e saj

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka rrëzuar me shumicë votash padinë e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, e cila dy vite më parë u shkarkua nga detyra në përballjen me procesin e Vettingut.

Sipas vendimit të Strasburgut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë vendim të drejtë për ish-gjyqtaren, ku nuk ka pasur parregullsi të procedurave dhe shkelje të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, si shkelja e jetës private dhe familjare apo e drejta e një procesi të rregullt gjyqësor.

“Procedurat e Vetingut që çuan në shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese ishin të rregullta dhe shkarkimi ishte proporcional”.

Gjithashtu Gjykata Evropiane e Strasburgut rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit, si dhe pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë juridike.

Në tetor të vitit 2018, Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi shkarkimin e ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, pas vendimit të KPK-së. Xhoxhaj u shkarkua nga KPK për “cenim të besimit të publikut te drejtësia” dhe “deklarim të pamjaftueshëm” në kriterin e pasurisë.

Vendimin e Strasburgut e përshëndeti edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim e cila tha se gjykata e cilësoi të drejtë procesin e Vetting-ut. Deri tani janë mbi 20 padi që janë bërë në Gjykatën e Strasburgut nga ish-gjyqtare e prokurore që pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Tv Klan