Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Miss Shqipëria, ka fituar sot të drejtën e vazhdimësisë në Gjykatën e Faktit në Tiranë. Merr fund kësisoj, konflikti i hapur 6 muaj më parë nga organizatorët e një spektakli të ri paralel. Kështu drejtësia shqiptare ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Ardit Gjebresë për pezullimin e këtij aktiviteti dhe mosnjohjen e tij nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Vendimi i gjykatës ishte një konfirmim i ri se Miss Shqipëria është një aktivitet zyrtar i njohur nga komiteti zyrtar i Miss Europës. Janë dashur 6 muaj që të vendosej për një nga çështjet më të komentuar në shumë media shqiptare. Gjebrea ka kërkuar një javë para zhvillimit të aktivitetit, pezullimin e tij dhe anulimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës. Pavarësisht nga pretendimet e showmanit të njohur, aktiviteti është zhvilluar me shumë sukses dhe ekrani i TV Klan dhe Telenorba Shqiptare, kanë transmetuar drejtpërdrejtë këtë konkurs.  

Kështu Miss Shqipëria, pas seancave të shumta gjyqësore, ka të drejtën të jetë konkursi kombëtar i vetëm i njohur nga shteti shqiptar. Në lidhje më këtë drejtori i përgjithshëm i TV Klan Aleksadër Frangaj shpjegon:

Aleksandër Frangaj:- “Është vendim që ne e prisnim. Zhvillimi i spektaklit Miss Shqipëria në muajin Maj të vitit 2000, nga ana e TV Klan dhe shoqatës Deliart ishte i ligjshëm, bazuar jo vetëm mbi të drejtën ekskluzive që ne kishim marrë nga komiteti Miss Europa, por dhe mbi njohjen e këtij akti nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe në atë kohë nga vetë ministri Edi Rama. Pra i gjithë aktiviteti ynë ishte i ligjshëm dhe ishte Miss Albania e Ardit Gjebreas që u organizua në mënyrë të paligjshme. Por sot gjykata shpalli atë që pritej, atë që ishte legale, pra e hodhi poshtë padinë e zotit Gjebrea, duke lënë në fuqi vendimin e Ministrit të Kulturës Edi Rama”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora