Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Dhjetë ditë burg për të gjithë të ndaluarit e protestave të demokratëve, përveç Donika Vales, që detyrohet për paraqitje. Gjyqtarja e gatshme e Gjykatës së Tiranës, Elona Stavri, në seancën e sotme për dhënien e masës së sigurisë, pothuajse ka lënë kërkesën e prokurorit Etjen Kapo.

Ky i fundit pasi ka artikuluar akuzat, thirrje për veprime të dhunshme, pjesëmarrje në mitingje të paligjshme dhe kundërshtim të forcave të rendit, ka kërkuar 30 ditë burg për Edi Palokën, si masë sigurie. Ndërsa për Sokol Mulosmanin, Shemsi Pemçin, Besnik Jakun dhe Altin Ponarin, prokurori Kapo, ka kërkuar nga dhjetë ditë burg për secilin. Kurse për Donika Dhales ka kërkuar detyrim paraqitje.

Pasi është tërhequr për vendim, gjyqtarja Stavri ka pranuar kërkesat e prokurorit dhe ka vendosur, që gjithë të ndaluarit të sigurohen dhjetë ditë në burg. Një nga avokatët e të ndaluarve vetëm pak pas përfundimit të seancës, ka folur për gazetarët.

“Ne do t’i vazhdojmë të gjitha procedurat ligjore dhe kemi bindjen, që ky vendim i gjykatës, do të deklarohet i pavlefshëm”.

Seanca e sotme maratonë ka nisur në mesditë. Nga qelitë e drejtorisë së policisë, rreth orës 12:30 është marrë nga toga e shoqërimit Edi Paloka, ku në makinë e prisnin Mulosmani dhe Dhales. Në Gjykatën e Faktit, përveç gazetarëve kanë qenë edhe shumë familjarë të të ndaluarve. Për më shumë se tre orë, prokurori Kapo ka artikuluar akuzat për secilin të ndaluar që lidhen me protestat e PD. Deri në fund të procesit, gjykata ka qenë e blinduar me forca policie./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj