U arrestua tre ditë më parë për armëmbajtje pa leje

Ndonëse tre ditë më parë u arrestua nga forcat RENEA me pistoletë me vete, Edison Begaj nuk do të qëndrojë në burg. Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 38-vjeçarin, ndërsa vendimi i është komunikuar këtë të premte në ambientet e spitalit të Vlorës, ku Begaj ndodhet i shtruar, pasi ka shfaqur ndërlikime shëndetësore pas arrestimit tre ditë më parë.

Gjykata nuk e ka argumentuar vendimin e vet, por duket se në këtë rast ka prevaluar gjendja e tij shëndetësore, pasi Begaj u operua disa javë më parë pasi u plagos në një atentat që iu bë në portën e shtëpisë së tij në Kaninë të Vlorës në sy të fëmijëve të tij.

Edison Begaj është një emër i njohur për Policinë dhe drejtësinë. Ai ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, gjatë së cilit iu dërgua edhe formulari për deklarimin e pasurisë.

Gjithashtu ai ka qenë arrestuar më 20 Shkurt të vitit 2008, gjatë një operacioni të policisë së Vlorës

si pjesë e një grupi që merrej me trafikim droge nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në Shkurt të 2010, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”. Ndërkaq, edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë “çokollatë”.

Tv Klan