Gjykata greke dënon me 52 vjet refugjatin, kaloi kufirin ilegalisht nga Turqia



Gjykata greke dënon me 52 vjet refugjatin, kaloi kufirin ilegalisht nga Turqia

20:20 29/04/2021

Dënimi i pazakontë nga gjykata ndaj refugjatit sirian

Një gjykatë greke ka dënuar me 52 vite burg një refugjat sirian, për shkak se e kishte kaluar kufirin grek në mënyrë të jashtëligjshme bashkë me familjen e tij. Për ta realizuar qëllimit e tij ai ishte mundur të kalonte përmes Turqisë.

I identifikuar vetëm përmes inicialeve, K.S., ai u përball me një dënim shumë të rëndë nga gjykata greke në ishullin Lesbos, të premten.

Sipas deklaratave, K.S. kaloi nga Turqia drejt ishujve grekë, me një anije. Me vete ai kishte familjen e tij, përfshirë 3 fëmijët dhe shumë njerëz të tjerë, në Mars 2020-s.

Familja ishte larguar nga Siria për t’i shpëtuar luftës civile dhe ishte vendosur si refugjat në Turqi. Gjithsesi, K.S. deklaroi se atij iu ishte refuzuar të merrte pjesë në operacionet ushtarake turke në Libi dhe pastaj ishte arrestuar.

Pas lirimit nga burgu, ai dhe familja e tij u përpoqën të largoheshin drejt Greqisë, në ishullin më të afërt, pasi atij i mohohej e drejta e azilit në bazë të një ligji kontrovers, i cili kishte hyrë në fuqi në fillim të muajit.

Në fillim të Marsit, jo shumë kohë para se familja të arrinte në Greqi, qeveria greke e kishte bllokuar përkohësisht të drejtën e azilit, të paktën derisa Turqia të hapte dyert për emigrantët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Europës.

Gjatë asaj kohe, presidenti turk Erdogan, deklaroi se vendi i tij nuk mund t’i përballonte më valët e mëdha të emigrantëve, që vinin nga lufta në Siri.

Në përgjigje të këtij vendimi, Greqia dha një paralajmërim të fortë dhe tha se do t’i mbronte kufijtë e saj. Kryeministri grek Mitsotakis, u tha emigrantëve që kërkonin azil se, nëse ata do të tentonin të hynin në Greqi ilegalisht, do të ktheheshin mbrapsht.

Në mes të këtij kaosi kufijsh mes Greqisë dhe Turqisë, K.S., rezultoi të ishte një ndër shumë emigrantët e kapur në përpjekje për të hyrë në mënyrë ilegale në Greqi, sipas The Independent.

Ai gjithashtu akuzohej se e kishte lehtësuar hyrjen ilegale në vend dhe po ashtu kishte qenë ai drejtuesi i anijes, i cili kishte mundësuar, jo vetëm hyrjen e familjes së tij, por edhe të 40 personave të tjerë.

Këto 3 akuza mund t’i shkaktonin atij 93 vite burgim. Megjithatë, ai u shpall fajtor vetëm për 2 akuzat e para dhe u dënuar me 52 vite burg. Ata që e mbështesin K.S.-në dhe familjen e tij, thonë se një dënim i tillë është një strategji greke për t’i mbajtur larg emigrantët që kërkojnë azil.

“Ata duan t’u thonë njerëzve të qëndrojnë larg Greqisë dhe duan t’i burgosin personat që dëshirojnë të vijnë në Greqi”, tha Johannes Kornes, organizata “You Can’t Evict Solidarity”.

Korner tha se me shumë mundësi, K.S., mund të kishte një shkurtim të dënimit pas 10-20 vjetësh. Gjithsesi, kjo të thotë se ai do të kalojë 1 ose 2 dekada jetë në burg, larg familjes së tij, e cila për momentin ndodhet në një azil në Greqi.

Familja e K.S.-së nuk është e vetmja që po përballet me politikat që ndjek Greqia kundrejt emigrantëve edhe pse Greqia po merr paralajmërime të shumta nga UNHCR-ra, agjencia për të drejtat e refugjatëve.

Në fillim të vitit, UNHCR-ja, deklaroi se kishte regjistruar qindra raste të tilla edhe pse një gjë e tillë bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Qeveria greke i ka dënuar akuzat duke i cilësuar ato, si “fake”.

The Independent ka kontaktuar me qeverinë greke për t’i kërkuar asaj komentin rreth gjithë kësaj ngjarjeje./tvklan.al







Të ngjashme