Me kapele bejzbolli, syze dielli Majbah dhe xhaketën mbi duart, ish-Kryeministri Nikola Gruevski në mëngjes është dërguar në Gjykatën e Budapestit. Duhej të shqyrtohej kërkesa për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

Mediat hungareze që kanë raportuar nga Gjykata në Budapest, ku është zhvilluar seanca për ekstradimin e Gruevskit, kanë njoftuar se gjykatësja kompetente ka refuzuar kërkesat e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, që për të dytën herë kërkojnë ekstradimin e ish-Kryeministrit, kësaj radhe për dhunën në Kuvend më 27 Prill të vitit 2017.

Kërkesa e parë ishte për shkak të vendimit të gjykatës për rastin “Tanku” të PSP-së. Siç njoftojnë mediat hungareze, gjykatësja Eva Varezhi ka vlerësuar se Gjykatat e Hungarisë nuk mund të marrin aktgjykime për diçka që ka ndodhur në Maqedoni. Siç ka thënë Varezhi, sipas ligjeve hungareze, personit që i është miratuar azili nuk mund të ekstradohet në vendin nga ku është arratisur. Gjithashtu njoftohet se Maqedonia nuk mund ta ankimojë vendimin para gjykatave më të larta.

Ish-Kryeministri i dënuar Nikolla Gruevski u prononcua me një koment të shkurtër përmes Facebook-ut. “Sot është zbatuar një procedurë standarde e institucioneve në Hungari prej se Qeveria kriminele në Maqedoni dorëzoi kërkesë për ekstradim. Gjykata shqyrtoi kërkesën dhe vendosi që të mos e pranojë”, shkruajti Gruevski.

Çështja e ekstradimit të ish-Kryeministrit u transferua dhe në seancën plenare të Kuvendit, ku po debatohet për rikonstruimin qeveritar. Nga LSDM-ja u bënë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të distancohen nga Gruevski.

“Derisa nuk distancoheni nga i arratisuri me pranga i cili ju jep urdhra se si të veproni dhe si të flisni, VMRO-DPMNE-ja nuk do të vijë në pushtet. Shikoni rreth vetes, jeni të mbuluar me krim. Keni një deputet që është i akuzuar për 27 Prillin dhe kjo flet gjithçka dhe për këtë shkak qytetarët nuk do të lejojnë të ktheheni në pushtet”.

Ndryshe seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak se bëhet fjalë për  procedurë në gjykatat civile që vendosin për ekstradimin. Zyra hungareze për Migrim dhe Azil fillimisht ia kishte miratuar azilin ish-Kryeministrit Gruevski më 20 Nëntor të vitit 2018, kurse më 5 Prill të vitit 2019 ka konfirmuar vendimin, që është përfundimtar.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto para disa ditëve, gjatë qëndrimit në Shkup, kishte theksuar se autoritetet hungareze nga Gruevski marrin informacione të dorës së parë për situatën në Ballkanin Perëndimor. Agjenci lajmesh raportojnë se Gruevski në Hungari gëzon mbështetjen e Kryeministrit Viktor Orban, edhe pse sot në Gjykatë ishte dërguar me pranga në duar.

Tv Klan