Gjykata Administrative ka vendosur që Kopshti Botanik t’i kthehet universitetit duke hedhur poshtë VKM-në që ia kalonte pronësinë Bashkisë së Tiranës.

Pas këtij lajmi ka reaguar deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se ky vendim shkon kundër kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për të tjetërsuar pronën e Kopshtit Botanik.

“Një hap më shumë në anën e drejtë. Vendimi i Gjykatës Administrative për t’i kthyer Kopshtin Botanik Universitetit të Tiranës është lajmi më i mirë i javës. Vendimi shkon kundër qëllimit të Ramës dhe Veliajt për ta tjetërsuar Kopshtin Botanik për interesa korruptive. Ky është hapi i parë i ndalimit të vjedhjes me vendim special të qeverisë të 15 ha të Kopshtit Botanik, ku rriten 2 mijë specie bimore. Duke mbetur kështu siç është, Kopshti Botanik do t’u shërbejë brezave të studentëve dhe kërkuesve shkencorë. Falenderoj Rektorin Koni dhe të gjithë pedagogët dhe studentët që nuk hoqën dorë nga kjo betejë e drejtë, pavarësisht presioneve e shantazheve. PD do të vazhdojë të jetë çdo ditë në krah për të drejtat e tyre”, shkruan Vokshi.

Studentë dhe pedagogë nisën protestat pas vendimit të qeverisë, përmes një VKM-je që e bënte Kopshtin Botanik, pjesë të pasurive të paluajtshme të Bashkisë së Tiranës. Kjo e fundit është shprehur se në gjendjen aktuale Kopshti Botanik është i paaksesueshëm nga qytetarët dhe se për këtë arsye ka një projekt për rigjallërimin e tij. /tvklan.al