Një gjykatë italiane ka deklaruar se përdorimi i tepruar i celularit mund të shkaktojë tumor në kokë. Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit të Torinos, e cila konfirmoi verdiktin e Shkallës së Parë në vitin 2017.

Vendimi u dha pas gjykimit të çështjes së një punonjësi të një kompanie telefonike në Itali, i cili ka pësuar dëmtime në nervin akustik.

Sipas vendimit të gjykatës, kompania do t’i paguajë një pension vjetor punonjësit që ka pësuar dëme në shëndet. Gjyqtarët që gjykuan këtë rast, thanë se ekziston një lidhje me përdorimin e shpeshtë të celularit, 4-5 orë në ditë.

“Është rasti i parë në botë që konfirmon lidhjen shkak-pasojë mes kancerit dhe përdorimit të celularit. Është një betejë ndërgjegjësimi, është një çështje që prek shëndetin e qytetarëve ”, sqaruan avokatët Stefano Bertone dhe Renato Ambrosio.

Do të duhej një udhëzim mbi rrezikun në shëndet. Në kutitë e celularëve duhet të shkruhet ‘nëse nuk përdoret siç duhet dëmton rëndë shëndetin’. Kjo është ajo që do të ishte e dobishme”, është shprehur Roberto Romeo, punonjësi i kompanisë telefonike që është prekur nga përdorimi i tepërt i celularit. /tvklan.al