Gruaja e viziton rregullisht në burg

Petrit Lekaj, babai shqiptar i cili vrau vajzën në Australi sepse nuk ishte dakord me stilin e saj të jetesës do të vuajë të paktën 20 vjet në burg. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm, por me të drejtë lirie me kusht minimalisht pas 20 vitesh.

49-vjeçari vrau vajzën, Sabrinën, në makinën “Mercedes-Benz”, të cilën ia kishte dhuruar për ditëlindjen e 18. Ngjarja ndodhi Korrikun e vitit të kaluar, ndërsa dënimi për u dha të martën.

Aktualisht babai shqiptar po mbahet në izolim. Por pavarësisht krimit brutal, gruaja e tij 43-vjeçare Romina i ka qëndruar pranë  dhe e viziton rregullisht në burg sipas mediave australiane. Pas dënimit, ajo fajësoi pjesërisht sistemin mjekësor shtetëror për fatkeqësitë në familjen e saj.

“Do të doja të thoja se është një tragjedi familjare, një familje e shkatërruar nga paaftësia e mjekëve për të diagnostikuar sëmundjen mendore”, tha ajo.

Psikiatri David Kutlaca zbuloi në Shkurt të 2019-s, disa muaj para vrasjes, se Petrit Lekaj po përjetonte shqetësime mendore. Disa vite pas problemeve me martesën, mungesës së mbështetjes së familjes dhe problemeve me paratë, Lekaj pushoi së punuari.

“Nuk mund të bëja shumë. Kisha probleme me gjumin. Fillova të kisha probleme me stomakun”, i tregoi ai doktorit.

Ndërkohë gjyqtarja Trish Kelly pasi i dha dënim të përjetshëm me një minimum lirie me kusht prej 20 vjetësh tha se vrasja ishte një ngjarje katastrofike. Për faktin që Lekaj nuk pranonte që vajza merrte drogë, gjyqtarja tha se kjo ishte “ironike” pasi ai vetë ishte dënuar disa vite më parë për trafik lëndësh narkotike.

Lekaj mori me vete një thikë 15 centimetra teksa e shoqëroi të bijën me makinë për të blerë ushqim. Ndërkohë që ndodheshin në automjetin që ia kishte bërë dhuratë për ditëlindje të bijës, ai u përball me të për stilin e jetesës dhe përdorimin e drogave. Ai i kishte thënë të bijës se po “flakte tutje jetën”, ndërsa ajo i ishte përgjigjur se “nuk ia ndjente”.

Në gjykatë u tha se Lekaj e kishte marrë thikën për ta trembur të bijën, por ai e nxori atë nga pantallonat dhe e goditi në bark ndërkohë që ajo po shikonte nga dritarja e pasagjerit. Teksa ulërinte për ndihmë, ai doli në sediljen e pasme duke e kapur nga fyti e më pas e goditi edhe 7 herë të tjera me thikë. Pas vrasjes, Lekaj u gjet pranë trupit të së bijës me plagë në trup dhe u dërgua në spital./tvklan.al