LAJM I PERDITESUAR | Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Rovena Vodën, Majlinda Hasanin dhe Florida Beun.

Ky është momenti kur ish zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda, mbërriti paraditen e kësaj të enjteje në gjykatë, e shoqëruar nga një automjet i policisë. Ajo u përball me provat e prokurorisë dhe dha parashtrimet e saj në lidhje me atë çka disponon Prokuroria e Posaçme në dosjen hetimore, për veprën penale të ngritur ndaj saj, ushtrim ndikimi i paligjshëm.

Voda akuzohet se ka premtuar ndërhyrje për punësimin e një personi në administratë dhe ka marrë dhuratë 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me kërkesë të SPAK caktoi të martën masën e arrestit në shtëpi për Vodën.

Sipas SPAK, në cilësinë e zv/ministres së Brendshme, Voda ka pranuar dhe ka marrë para dhe përfitime të tjera materiale të padrejta nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Hetimet kanë nisur që në 2019-n për një çështje tjetër që ende nuk bëhet e ditur ku ka rënë në përgjime avokatja Majlinda Hasani./tvklan.al