“Masat për ndalimin e lëvizjes, antikushtetuese”

Masat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës më 23 Mars për ndalimqarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në orare të caktuara pas situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, i kishte kundërshtuar menjëherë presidenti Hashim Thaçi. Ai madje i kishte quajtur antikushtetuese duke iu drejtuar për këtë çështje për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Në vendimin e saj të publikuar sot, Gjykata kushtetuese i ka dhënë të drejtë presidentit. Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e qeverisë, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.

Kushtetuesja ka vlerësuar se vendimi i qeverisë, nuk është në përputhshmëri me disa nene që kanë të bëjnë me Kufizimin e të Drejtave dhe të Lirive Themelore, lirinë e lëvizjes të drejtën e privatësisë, si dhe të drejtën e jetës private dhe familjare.

Gjykata ka konstatuar se neni 56 që flet për të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk ka të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore. Gjykata konstaton se, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit.

Ndërsa gjatë ditës Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të presidentit Thaçi, për mosrespektimin e vendimit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Presidenti kohë më parë kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, por ishte kundërshtuar nga qeveria. Madje Ministri i Brendshëm i qeverisë ishte shkarkuar pasi që kishte vlerësuar se duhej shpallur gjendje e jashtëzakonshme, për çka edhe pasoi votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. 

Tv Klan