Mediu: Qeveria ka futur opozitën në karantinë

Gjykata Kushtetuese është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Republikane, e cila ka kërkuar shfuqizimin e Aktit Normativ që ndalon tubimet politike për shkak të pandemisë.

Bëhet fjalë për një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk lejon grumbullimet e më shumë se 10 personave, përfshirë mbledhjet apo aktivitetet politike.

Por sipas kreut të republikanëve Fatmir Mediu, vendimi kërkon që të pengojë opozitën që të bëjë fushatë pasi qeveria është duke organizuar takime elektorale.

“Veprimtaritë e Edi Ramës tentojnë që të krijojnë karantinë për opozitën. Në një kohë që i ka lejuar vetes dhe përmes vlerësimeve të komitetit, që parlamenti të mblidhet, qeveria apo dhe pushteti lokal të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën shqiptare për të kryer veprimtaritë politike. Kjo është situatë e papranueshme, anti-ligjore”, tha Mediu.

Në seancën e parë gjykata ka dëgjuar argumentet e juristëve dhe pritet që së shpejti të japë vendim lidhur me kërkesën. Nëse do të rrëzohet vendimi, atëherë partitë politike mund të zhvillojnë tubime duke respektuar masat anti-Covid.

Tv Klan