Mediu: Qeveria ka futur opozitën në karantinë

Gjykata Kushtetuese është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Republikane, e cila ka kërkuar shfuqizimin e Aktit Normativ që ndalon tubimet politike për shkak të pandemisë.

Bëhet fjalë për një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk lejon grumbullimet e më shumë se 10 personave, përfshirë mbledhjet apo aktivitetet politike.

Por sipas kreut të republikanëve Fatmir Mediu, vendimi kërkon që të pengojë opozitën që të bëjë fushatë pasi qeveria është duke organizuar takime elektorale.

“ Veprimtaritë e Edi Ramës tentojne që të krijojnë karantinë për opozitën, në një kohë që i ka lejuar vetes nëpërmjet edhe vlerësimit të Komitetit që parlamenti mund të mblidhet, qeveria mund të mblidhet, pushteti lokal mund të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën shqiptare për të kryer veprimtari politike.”

Në seancën e parë gjykata ka dëgjuar argumentet e juristëve dhe pritet që së shpejti të japë vendim lidhur me kërkesën. Nëse do të rrëzohet vendimi, atëherë partitë politike mund të zhvillojnë tubime duke respektuar masat anti-covid.

Klan News