Ish-kryepolici i Vlorës kërkoi një masë më të lehtë

Gjykata e Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-Drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Pak ditë më parë, ai u dorëzua në Policinë e Tiranës, pasi prej 3 vitesh ishte në arrati, i akuzuar dhe dënuar për shpërdorim detyre, së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Avokati i tij mbrojtës, kërkoi një masë më të lehtë sigurie, por nuk u pranua nga gjykata.

Jaeld Çela u shpall në kërkim 3 vite më parë, pasi akuzohej nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ndihmoni bandën e Habilajve për të kultivuar dhe trafikuar drogë drejt Italisë. Në deklaratën e tij pas dorëzimit, Çela theksoi se është i pafajshëm, ndërsa nuk njeh asnjë prej anëtarëve të grupit të Habilajve dhe në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë përgjim ose dokument ku të përmendet emri i tij.

Edhe pse prokuroria ngriti akuzat për shpërdorim detyre, trafik droge, aktivitet dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg vetëm për shpërdorim detyre. Seanca e radhës në Apel u caktua 28 Maji.

Tv Klan