Akuzohet se vrau me thikë kushëririn e tij

18-vjeçari Devis Hoti, i cili akuzohet se 3 ditë më parë vrau me thikë kushëririn e tij Flamur Duçi në fshatin Mborje të Korçës, doli para gjykatës këtë të dielë, e cila vendosi ta lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Sipas prokurorisë, dëshmitë e familjarëve dhe deklaratat e të akuzuarit për vendndodhjen e tij mëngjesin kur ndodhi krimi dëshmojnë autorësinë e 18-vjeçarit.

Prokurori tha se fillimisht autori dhe viktima janë përleshur në ambientet e dyqanit të viktimës.

Më pas18-vjeçari e ka goditur 8 herë me thikë Flamur Duçin dhe i ka hedhur lëndë djegëse në trup. Kjo sipas tij del nga ekspertiza që i është bërë viktimës. 

Prokuroria ka dërguar në laboratorin kriminalistik një fije floku të gjetur në dorën e viktimës për të kryer analizën e ADN-së. Në laborator janë dërguar edhe disa kampione gjaku të marra në vendin e ngjarjes.

18-vjeçari, Hoti deklaroi gjatë seancës se është i pafajshëm. Ai pranoi konfliktet me viktimën, por tha se në momentin e ngjarjes ka qenë në shtëpi, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e lënë në burg të riun.

Tv Klan