Qëlloi me armë drejt hotel Volorekës

Anterio Kaloshi do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve për sulmin me armë natën e 8 Gushtit ndaj hotel Volorekës, në Drilon.

Ai është personi qe qëlloi me breshëri automatiku hotelin dhe disa makina të parkuara.

Gjykata e Korçës e pranoi kërkesën e Prokurorisë, qe paraqiti prova për implikimin e Kaloshit.

RENEA e arrestoi në Linzë, në bashkëpunim me Policinë e Korçës dhe të Tiranës. Ai ishte së bashku me Merdi Berberin, që akuzohet se ka organizuar sulmin së bashku me babain e tij, Ilir Berberin, që gjendet gjithashtu në burg.

29 –vjeçari Kaloshi konsiderohet nga policia si person me rrezikshmëri të lartë. Ai ishte në kërkim se kishte fshehur në një shtëpi me qira në zonën e Xhamllikut, Orges Bilbilin, i cili u plagos nga policia më 10 Prill, pas një konflikti për shkak se kishte shkelur karantinën.

Kërkohej edhe si i përfshirë në vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës dhe plagosjen e dy personave të tjerë në vitin 2017 në Lushnje. Për këtë ngjarje akuzohet edhe Laert Haxhiu, që është ende i lirë.

Policia gjeti në vendin ku fshihej Kaloshi, në garazhin e Ervin Kalasë në Linzë, disa armë, për të cilat ka dyshime se mund të jenë përdorur nga 29–vjeçari në ngjarje të ndryshme kriminale.

Gjykata e Pogradecit la për 40 ditë në burg edhe bashkëpuntorët në ngjarjen e Tushemishtit, Ilir Mecollin, Ardian Xhutin dhe Elvir Haxhian. Gjatë kësaj periudhe do të vërtetohen ADN-të e të dyshuarve si pjesëmarrës në sulmet e 1 dhe 8 Gushtit.

Tv Klan