Sanitarja kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë me argumentin që është e sëmurë

Skandali në spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi” i publikuar nga emisioni Stop, ku sanitarja Tire Alldervishi hiqej si infermiere dhe merrte para nga të afërm të pacientëve të sëmurë me  koronavirus në mënyrë që të kujdesej për të.

58-vjeçarja ka kërkuar në gjykatë zëvëndësim të masës së sigurisë duke argumentuar se nuk përbën rrezik për marrjen e provave, nuk ka rrezik që të largohej jashtë vendit dhe se nuk ishte mirë nga gjendja shëndetësore.

Ajo kërkon zëvëndësim të masës nga arrest në burg në arrest në shtëpi ose detyrim paraqitjeje. Alldervishi nuk u paraqit para gjykatës, por u përfaqësua nga avokati i saj.

Ndërsa Prokuroria e Tiranës nisur nga ndjeshmëria e çështjes i ka cilësuar të paligjshme kërkesat e Alldervishit dhe ka kërkuar nga gjykata që të rrëzonte kërkesën e sanitares për masë më të butë sigurie. Gjyqtarja Regjina Merlika pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e mbrojtjes dhe të lërë në qeli 58-vjeçaren.

Ndërkohë nga ana tjetër, Prokuroria e kryeqytetit vijon hetimet për zbardhjen e këtij skandali që Alldervishi u denoncua nga vajza e pacientes se i kishte zhvatur 8 milionë lekë të vjetra që të kujdesej për nënën e saj të sëmurë me Covid. Por mesazhet telefonike të bëra publike nga emisioni “STOP” dhe të zbardhura në dosjen e prokurorisë tregojnë që e ndjera i përgjërohej Tire Alldervishit që t’i jepte pak bukë për të ngrënë. 

Për të njëjtën çështje janë nën hetim edhe 3 infermieret dhe një sanitare tjetër të cilat janë lënë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Apelit. Prokurorisë së Tiranës nuk i kanë mbërritur ende nga laboratori i kriminlisitikës përgjigjia për rikuperimin e mesazheve të fshira nga 4 të dyshuarat.

Gjithashtu mungojnë edhe tabulatët telefonike nga kompanitë celulare. Mesazhet që kanë fshirë 4 të dyshuarat mund të hedhin më tepër dritë mbi situatë, nëse ka patur mjekë dhe infermierë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi. 

Klan News