Të arrestuarit: Mitralozin e gjetëm në rrugë, do e çonim në polici

Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest me burg Aldi Mustafën, Uran Zykën e Tahir Gjinikën, të cilët dyshohet se kishin planifikuar të kryenin një vrasje me pagesë. Në seancën që u mbajt me dyer të mbyllura, gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri vendosi pro kërkesës së prokurores Enkeleda Xhengo për masën “arrest me burg”. Para trupës gjykuese të pandehurit janë shprehur se mitralozin e gjetën në rrugë dhe po shkonin ta dorëzonin në polici. Për armët e tjera ka marrë përsipër autorësinë Uran Zyka i cili ka deklaruar se ishin të tijat dhe shokët që ndodheshin në makinë nuk kishin dijeni për to.

Dy nga të arrestuarit janë me precedent të theksuar kriminal. Aldi Mustafa, 35 vjeç, rezulton i dënuar me 10 vite burg në Gjermani për kanosje dhe drogë i cili ishte liruar vetëm 10 ditë më parë dhe Uran Zyka, 40 vjeç, me banim në Durrës i dënuar për kanosje.

Ata nuk kanë dhënë asnjë detaj pas marrjes në pyetje në lidhje me personin që ishin urdhëruar për të vrarë. Po ashtu, ata nuk kanë folur edhe në lidhje me porositës të mundshëm. Armët e kapura në makinë, tre pistoleta dhe një mitraloz, të gjitha me plumb në fole dhe gati për qitje, janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore. Nga aty pritet të përcaktohet nëse janë përdorur ose jo më herët në ngjarje të tjera kriminale.

Gjatë arrestimit të tyre shoferi ka tentuar të largohet me makinë duke goditur dhe automjetin e uniformave blu dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion, ndërsa policia ka sekuestruar një mitraloz dhe 3 pistoleta me fishekë në fole, municione, 2 laptopë, 9 telefona celular dhe 1600 euro.

Klan News