Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Florenc Çapjan, i ekstraduar disa ditë më parë nga Dubai.

Ai doli për herë të parë këtë të hënë para Gjykatës ku u përballë me dyshimet e ngritura nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit.

Në seancë 44-vjeçari mohoi akuzat duke thënë se nuk kishte njohje me Dumanin dhe se nuk e ka kontaktuar atë për këtë qëllim.

Përveç këtij hetimi për të cilin nuk është dhënë një vendim gjyqësor, Florenc Çapja është dënuar me vendim të formës së prerë me burg përjetë, si një nga organizatorët e vrasjes së babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit në Elbasan në vitin 2012.

Me të njëjtën masë është dënuar edhe xhaxhai i tij Ardian Çapja, teksa si bashkëpunëtorë të tyre me dënime më të ulëta nga 18 deri në 35 vite burg janë dënuar edhe 4 persona të tjerë.

Vrasja e ndodhur në 2012, ku babë e bir u vranë në apartamentin e tyre teksa Gentian Beqiri ishte në arrest në shtëpi dhe në ruajtje nga policia u zbardh nga dëshmia e Ervis Bardhit, i kthyer në bashkëpunëtor drejtësie.

Tv Klan