34-vjeçari u shpreh se e kreu krimin pasi përndiqej nga disa besimtarë myslimanë 

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për 34-vjeçarin Rudolf Nikolla që plagosi me thikë 5 persona disa ditë më parë në xhaminë  Dine Hoxha në Tiranë.

Gjyqtari Lazër Sallaku pasi dëgjoi pretendimet e palëve i bëri disa pyetje Rudolf Nikollës, për të kuptuar më shumë rreth motivit të ngjarjes.  I riu u shpreh para gjykatës se e kreu krimin pasi përndiqej nga disa besimtarë myslimanë.

Prokuroria theksoi në gjykatë se janë këqyrur kamerat e sigurisë së xhamisë për të kuptuar më tepër mekanizmin e ngjarjes. Grupi i hetimit ka kërkuar që celularit të 34 vjeçarit t’i bëhet një ekspertizë për të zbardhur nëse ka pasur kontakte me persona të dyshimtë. 

Prokuroria ka marrë kartelat mjekësore nga spitali psikiatrik, ku ka qenë i shtruar Rudolf Nikolla, po ashtu mjekët psikiatër do të bëjnë një ekspertizë të 34 vjeçarit për të parë gjendjen e tij shëndetësore. Mbrojtja pretendoi që i riu vuante nga çrregullime të shëndetit mendor dhe për këtë arsye do të ishte më mirë t’i caktohej masë më e butë sigurie.  Po gjykata vendosi ta linte në qeli Nikollën për shkak se nuk kishte një ekspertizë të shëndetit mendor të tij.

Klan News