Burg me afat 45 ditor është masa e caktuar nga Gjykata e Tiranës për Geldo Hotin, i arrestuar për ngjarjen e të enjtes në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku një person u vra dhe u plagosën dy të tjerë.

37-vjeçari, i cili njihet dhe me mbiemrin Liçaj, akuzohet nga prokuroria për vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose me shumë personave dhe armëmbajtje pa leje. Kjo kohë do t’i shërbejë grupit hetimor për të mbledhur prova dhe për të provuar nëse Hoti ka qëlluar me armë në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Sipas policisë dyshohet se ka qëlluar, por 37-vjeçari ka mohuar versionin e bluve. Sipas tij, ai ka qenë në lokal dhe çdo gjë ka qenë e qetë deri në momentin kur ka hyrë Fabjol Gaxha, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe është konfliktuar me Merviol Bilon. Pasi ka dëgjuar krismën e parë, Hoti sqaroi së është shtrirë në tokë dhe nuk ka parë çfarë ka ndodhur. Ai është shprehur para gjykatës se në Greqi do të ikte për të blerë disa sende dhe jo për t’iu fshehur hetimit.

Në përplasjen me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Në kërkim vazhdojnë të jenë Merviol Bilo dhe Ervin Mata. Të dielën gjykata la në burg me afat 30 ditë të plagosurin Ervis Martinaj, ndërsa i plagosuri tjetër Eljo Hato do të qëndrojë në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve. Avokatët e të dy të ndaluarve mohuan se klientët e tyre të jenë përshirë në sherr pasi kanë dashur të ndajnë personat e përfshirë në të.

Tv Klan