Apeli i Krimeve të Rënda ka refuzuar kërkesën e gjyqtarit Skënder Damini për t’i kthyer shumën prej 17 mijë Euro që iu sekuestruan në banesën e tij. Damini është një nga gjyqtarët e Apelit që gjykoi çështjen e Dritan Dajtit, të cilit iu hoqi burgimi i përjetshëm.

Burime të ABC News kanë thënë se gjykata rrëzoi gjithashtu edhe kërkesën tjetër të gjyqtarit Damini për të pushuar hetimet dhe për t’i dhënë celularin që ia ka bllokuar Prokuroria në kuadër të hetimeve që po kryen.

Edhe djali i gjyqtarit Skënder Damini kishte bërë kërkesë për kthimin e parave, por u refuzua. Sipas familjes Damini, shuma prej 17 mijë Eurosh është e justifikuar.

Banesa e gjyqtarit Skënder Damini u kontrollua nga policia në mesin e muajit Shkurt pas vendimit të dhënë ndaj Dritan Dajtit, të cilit iu ul dënimi dhe i shpëtoi burgimit të përjetshëm. Forcat speciale të policisë kontrolluan edhe banesat e dy gjyqtarëve të tjerë, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla.

/tvklan.al