Avokati: Nuk është arrestuar as në Turqi, as në Itali

Pasuritë e biznesmenit Ylli Ndroqi, përfshirë edhe dy televizionet, do vijojnë të jenë të sekuestruara deri në përfundim të hetimeve. Ky ishte vendimi që dha Gjykata e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Asnjë prej listës së pasurive, që u sekuestrua pas kërkesës së SPAK, nuk është liruar. Në seancën ku u dha vendimi, u panë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane.

Avokati i Ylli Ndroqit u shpreh se ai nuk është arrestuar as në Itali dhe as në Turqi, duke paralajmëruar se çështjen do ta ankimojë në Gjykatën e Lartë. Avokati akuzoi policinë se ka hartuar arrestime, pa u bazuar tek të dhënat që kanë sjellë autoritetet turke dhe ato italiane.

“Zoti Ndroqi ka pasur një verifikim për një celular Erikson. Është çuar në laboratorin e Policisë Shkencore. Është bërë ekspertiza dhe nuk ka pasur lidhje të tjera me persona të tjerë që e kanë pasur një procedim penal për një vepër tjetër. I është rikthyer. Nuk ka asnjë dënim edhe në dosjen e gjykatës edhe në fashikullin e prokurorit për zotin Ndroqi në Turqi”, tha Qafa.

Më 3 Gusht, SPAK i sekuestroi pasurinë Ylli Ndroqit, duke u bazuar te ligji-antimafia. SPAK argumentonte se ai ishte arrestuar në Turqi nën një emër tjetër, por mbrojtja i hedh poshtë këto akuza.

Tv Klan