Gjykata pezullon nga detyra Artan Shkëmbin



Gjykata pezullon nga detyra Artan Shkëmbin

17:11 26/03/2021

Numri 2 i OFL akuzohet për nxjerrje të sekretit hetimor

Zëvendës drejtorit të OFL, Artan Shkëmbit, i është ricaktuar masa e sigurisë “pezullim nga detyra” nga Gjykata Penale.

Gjatë zhvillimit të seancës, togat e zeza kanë konstatuar se kishte kaluar afati 6 mujor i masës së pezullimit nga detyra që kishte vendosur më 28 Shtator të vitit të shkuar Gjykata e Posaçme.

Numri 2 i OFL u pezullua pasi SPAK e akuzonte për dy vepra penale, korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Por pas disa muajsh hetime Prokuroria e Posaçme vendosi që të shpallë mos kompetencën për shkak se nuk u provua vepra penale e korrupsionit.

Artan Shkëmbi dyshohet se dekonspiroi një operacion të autoriteteve gjermane për shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me trafik droge.

Në letërporosinë që autoritetet e huaja i kishin sjellë SPAK, kanë sqaruar se numri 2 i operacionit ‘forca e ligjit’, i ka dërguar mesazh Aleksandër Prronit dhe Klaudio Vukajt, të cilët janë informuar përmes një platforme chati të kriptuar se po hetoheshin nga Gjermania.

Mesazhi i cili u është dërguar të hetuarve është një foto e bërë mbi një pajisje elektronike të të dhënave në sistemin ‘deep see’, një sistem që përdoret vetëm nga zyrtarët më të lartë të policisë. 

Shkëmbi u ka treguar kërkesën e autoriteteve  gjermane, nëse janë përsona me precedent penal në vendin tonë.

Numri 2 i OFL do të vazhdoj të jetë i pezulluar nga ushtrimi i funksionit deri në momentin që do të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Dosja në ngarkim të tij pritet që brenda pak ditësh të mbyllet dhe të dërgohen për seancë paraprake.

Klan News   







Të ngjashme