Prokuroria e Krimeve të Rënda ka afat deri në 10 Mars, për të vendosur se çfarë do të bëjë me hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata ka pranuar pjesërisht kërkesën e Tahirit, kundër zgjatjes së afateve hetimore me 3 muaj. Gjykatësja Liljana Baku i ka kërkuar prokurorëve që brenda datës 10 Mars, të vijnë me një vendim për pushimin e çështjes apo dërgimin e saj në gjyq, nëse kanë prova.

Sipas vendimit të Prokurorisë, të marrë më 19 Janar, i duheshin dhe 3 muaj kohë pasi ishte në pritje të informacioneve nga Mali i Zi dhe po përkthehej dosja e mbërritur nga Italia. Nga fillimi i hetimeve në Tetor të 2017, Prokuroria i ka shtyrë 5 herë hetimet. Në përfundim të seancës, Saimir Tahiri tha se kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund dhe këtë proces e sheh si mundësinë e tij për të marrë drejtësi.

Të njëjtën kërkesë kundër zgjatjes stë afateve të hetimit ka bërë edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili akuzohet edhe ai për lidhje me grupin e “Habiljave”. Vendimi pritet të jepet më 14 Shkurt.

Pesë ditë më parë Saimir Tahiri debatoi ashpër me prokuroërt e dosjes për shkak të zvarrittjes së hetimeve. Sipas tij, hetimet zgjaten për shkak se  prokuroret nuk dinë si t’i mbyllin. Kjo për faktin se Prokuroria e Katanias në Itali, aty ku filloi hetimi për të, nuk gjeti asnjë provë që e lidhte me grupin e Habilajve.

Tv Klan