PDK dhe LDK: Fitore! Të shkarkohet Bordi i ZRE

Opozita në Kosovë ka kërkuar shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga ZRRE-ja.

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se kjo është një fitore e Partisë Demokratike e cila fillimisht kishte insistuar që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë e më pas çështjen e kishte adresuar në gjykatë.

Krasniqi kritikoi mazhorancën në Kuvend dhe qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifa të reja.

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka kërkuar që të vendoset ligjshmëria në vend dhe qytetarëve t’u kthehen mjetet që u janë faturuar për tre muaj kundërligjshëm.

Gjykata Themelore kishte marrë vendim më 9 prill për pezullimin e tarifave të reja të energjisë, por kjo nuk ishte përfillur nga ZRRE-ja pasi të njëjtit ishin ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila tashmë e vërtetoi vendimin e Themelores.

Tv Klan