Gjykata regjistron kryebashkiaken e Durrësit

Gjykata regjistron kryebashkiaken e Durrësit

15:54 19/07/2019

E njëjta gjykatë e rrëzoi 2 ditë më parë

Valbona Sako është regjistruar këtë premte si kryebashkiake e Durrësit nga e njëjta gjykatë që rrëzoi kërkesën e saj 2 ditë më parë. Kësaj here gjykatës i është drejtuar Partia Socialiste si subjekt zgjedhor i interesuar për këtë proces, me kërkesën e firmosur nga kryesocialisti Edi Rama.  

Kërkesa është marrë në shqyrtim nga një tjetër gjyqtar i gjykatës së shkallës së parë të Durrësit, Shpëtim Reka, i cili pranoi regjistrimin e Valbona Sakos si kryetare e Bashkisë së Durrësit, e shpallur fituese nga zgjedhjet e datës 30 Qershor ku përballë kishte si kandidate rivale Valbona Sakollarin e Bindjes Demokratike.

Në argumentet e dhëna në vendimin që Tv Klan e disponon, Reka thotë se janë kushtet ligjore që sa kohë që s’ka një vendim të formës së prerë ai mund ta marrë në shqyrtim këtë çështje që tanimë ka një palë tjetër kërkuese që është Partia Socialiste. Në vendim sqarohet se vërtetimi i mandatit të kryetarëve të bashkisë nga gjykata është i ndryshëm nga ai roli i  KQZ duke nënvizuar se ky institucion është i vetmi institucion që mund të bëjë verifikimin e rezultatit të votimit, apo rolit të Kolegjit Zgjedhor apo rolit të këshillit bashkiak si organ kompetent për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit apo deklarimin e pavlefshmërisë së tij.

Kërkesa e parë që i ishte drejtuar gjykatës së Durrësit nga vetë Sako u  shqyrtua dhe më pas u rrëzua nga gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila mori në analizë të gjithë procesin e ndjekur që nga regjistrimi i Sakos si kandidate në KQZ e deri tek vlerësimi i  raportit paraprak të ODIHR-it për zgjedhjet e 30 Qershorit dhe doli në përfundimin se procesi ishte nul për shkak se kandidatja rivale ishte regjistruar, sipas saj jashtë afateve ligjore.

Vendimi i Margjekës ishte i apelueshëm në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditësh, por socialistët edhe pse deklaruan se do ta ndërmerrnin këtë hap vendosen që t’i drejtohet si subjekt elektoral Gjykatës se Shkallës së parë, një praktikë që sipas tyre është e njohur ligjërisht.

Në argumentimin e tij gjyqtari Reka shprehet se vendimi i parë nuk përbën pengese për ta marrë çështjen në shqyrtim për sa kohë ai nuk ka marrë formë të prerë pasi ende nuk është regjistruar ne sekretarinë e gjyaktës.

Të njejtën procedurë socialistet kanë ndjekur dhe në rastin e kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku, të cilin Gjykata e Tiranës nuk e regjistroi për mungesë kompetence.

Me këto 2 vendime Gjykata e Durrësit dhe ajo e Tiranës vendosen një precedent të panjohur më parë pas proceseve zgjedhore në këto vitet e fundit. Në Gjykatat e Rretheve vijon procesi regjistrimit të kryebashkiakëve të zgjedhur në 30 Qershor dhe deri tani janë certifikuar 34 të tillë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT