Aktivistët e PSD të Kosovës incidente në konferencën e kryetares së gjykatës

Kryetarja e Gjykatës Speciale që po heton krimet e luftës në Kosovë, Ekaterina Trendafilova, tha nga Prishtina se shpreson se gjyqtarët e saj nuk do të përballen me ndonjë rast ku do të rrezikohet jeta e dëshmitarëve. Sipas saj  mbrojtja e dëshmitarëve është një prej arsyeve që është krijuar kjo gjykatë me seli në Hagë.

Trendafilova tha se nuk e di nëse Prokuroria e Specializuar ka në plan që të ngrejë akuza ndaj personave të tjerë. Sa i përket përfundimit të mandatit të kësaj gjykate, Trendafilova u shpreh: Mandati i Gjykatës Speciale do të përfundojë sapo Këshilli i Evropës të njoftojë Kosovën që hetimet dhe procedurat e dala prej tyre do të përfundojnë.

Sa i përket rastit të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi puna është duke u zhvilluar me intensitet.

Sapo Trendafilova nisi konferencën e saj, disa persona hynë në sallë duke i fryrë bilbilave. Ata ishin ish aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje te larguar drejt PSD se drejtuar nga Dardan Molliqaj.

Ata thanë se nuk mund të lejojnë një konferencë të një “përfaqësuese të një gjykate të padrejtë që asnjëherë nuk mund të sjellë drejtësi”. Pasi dolën nga salla, Trendafilova kërkoi rikthimin e tyre, me qëllim që të mund të bënin pyetje.

Aktivistet nuk u mjaftuan me kaq por kane shkruar “Non Grata” (i padëshirueshëm) në veturat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Policia arrestoi me pas  aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nëntori i vitit të kaluar, që të gjithë ndodhen në paraburgim në Hagë.

Klan News