Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, kanë bërë të ditura të enjten detajet e aktakuzës kundër Salih Mustafës, i cili po të njëjtën ditë është arrestuar me urdhër të këtij trupi.

Ky njëherësh është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë.

Mustafa akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

Teksa është bërë e ditur se Mustafa është dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kjo Gjykatë ka thënë se ai aktakuza pretendon se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Në aktakuzë përmendet po ashtu se prej periudhës 19 prill të vitit 1999 e deri në fund të atij muaji, në atë vendndodhje është vrarë një i ndaluar.

Në komunikatë është thënë edhe se gjykatësi i procedurës paraprake e ka konfirmuar aktakuzën kundër Mustafës më 12 qershor të këtij viti, mirëpo në përputhje me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk është bërë publike në atë kohë.

Salih Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar./REL