Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli përcaktoi 25 janarin si ditën e votimit të nismës së shumëpërfolur për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Në përfundim të mbledhjes së krerëve të grupeve parlamentare, Veseli njoftoi se nisma i është dërguar për opinion qeverisë.
“Gjithçka çfarë është bërë është procedurë në bazë të rregullores së Kuvendit. Nisma e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i është dërguar për mendim qeverisë.”
Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti braktisi mbledhjen kur nisi diskutimi për Gjykatën Speciale, duke ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër nismës për shfuqizimin e saj.
“LDK është kundër kësaj iniciative… për këtë çështje që është shumë e debatuar… duke qenë se i ve në pikëpyetje të gjitha marrëdhëniet që ka ndërtuar deri tani shteti i Kosovës.”
Shfuqizimi i Gjykatës Speciale kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët perëndimorë. Ambasadori amerikan Greg Delaui paralajmëroi javën e kaluar se deputetët që mbështesin nismën do të përballen me pasoja të ashpra nëse nisma ka sukses. Por mbështetësit e saj thonë se nisma njollos luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtimi i përgjakshëm serb. Nisma u hodh për votim në Kuvend më 22 dhjetor por dështoi për mungesë kuorumi.
Tv Klan