Turne në mes të pandemisë, Brazili pret garën më të fortë të kontinentit

Tashmë është zyrtare. Kupa e Amerikës do të zhvillohet në Brazil. Verdikti final është dhënë nga Gjykata Supreme e Brazilit , e cila ka njoftuar se kompeticioni madhor do të mbahet në vendin e Sambas. Gjithçka është vendosur përkundër frikës që mbizotëronte te Kombëtaret pjesëmarrëse, mes të cilave edhe ajo braziliane. Brazili është i kushtëzuar nga pandemia, ku vazhdojnë të konfirmohen raste të shumta me COVID-19, por pavarësisht kësaj, Kupa e Amerikës do të zhvillohet aty dhe do të startojë me 13 Qershor.

Vendimi është jashtëzakonisht i diskutueshëm: Brazili po dridhet gjithashtu nga COVID-19, që deri më tani ka shkaktuar 480,000 njerëz të vdekur, i dyti pas Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët brazilianë po kërkojnë që ndeshjet të zhvillohen pa tifozë, përfshirë finalen e 10 Korrikut në stadiumin “Maracana” të Rio de Janeiro. Ekipet do t’i nënshtrohen testimit të detyrueshëm COVID-19 çdo 48 orë. Lëvizjet e tyre do të kufizohen, dhe ata do të udhëtojnë për ndeshje në katër qytetet pritëse në fluturime me charter.
Ky është destinacioni i tretë për Kupën e Amerikës, pasi fillimisht u zhvendos nga Kolumbia dhe Argjentina.

Klan News