Në emisionin “Historia Ime” në Tv Klan nga Mirela Milori rikthehet një histori e trajtuar 9 Qershorin e një viti më parë, fatkeqësisht ende e pazgjidhur. Bëhet fjalë për rastin e një gruaje të dhunuar nga ish-bashkëshorti, një nëne me tre fëmijë, që gjithë jetën e saj është dhunuar së bashku me ta në mënyrë çnjerëzore.

Në fillim, bashkëshorti e dhunonte kur pinte, por ajo e falte për hir të fëmijëve dhe dashurisë për të. Kjo ndodhi për 30 vjet, ndërkohë dhuna shtohej, derisa në vitin 2012 u bë e padurueshme sepse e ushtronte mbi të tre herë në ditë. Asokohe, nuk kishin shtëpi dhe jetonin me qira, gruaja insistonte për një banesë sociale nga Bashkia.

Pas shumë përpjekjesh me Bashkinë, arriti më në fund të merrte një banesë sociale që zgjidhi problemin e tyre të strehimit. Kjo nuk zgjidhi asgjë mes saj dhe ish-bashkëshortit, pasi ai nisi të pinte edhe më shumë se më parë dhe arriti deri në pikën sa ta kërcënonte me thikë, të ushtronte dhunë të përditshme disa herë në ditë, ndaj saj dhe fëmijëve.

Pas 9 urdhrash mbrojtjeje, dhunuesi vazhdonte të jetonte në banesë dhe të dhunonte barbarisht, edhe pas zgjidhjes së martesës. Vetë ish-bashkëshorti kërkonte urdhra-mbrojtjeje ndaj gruas duke i thënë policisë që ishte ai i dhunuari.

Deri ditën e sotme nuk është zgjidhur ende asgjë, as nga gjykata. Avokatja Ana Pertena, mikeshë e emisionit, mori përsipër rastin, i cili në kohën kur u prezantua në emision, kishte arritur tashmë në 12 urdhra mbrojtjeje. Pas një viti, është një rast ende i paqartë se si kanë ecur procedurat, por zonja është kthyer në studio për të folur më gjatë.

Mirela Milori: Si kaloi viti?

Zonja X: Viti ka kaluar problematik, e njëjta situatë, me urdhra mbrojtjeje.

Mirela Milori: Përsëri?

Zonja X: Po. 2 herë në vit me urdhra mbrojtjeje, shkoj në gjykatë nuk gjej zgjidhje, gjykata tallet, sekretarja e gjykatës më injoroi.

Mirela Milori: Ku janë gjërat me gjykatën?

Zonja X: Gjërat me gjykatën janë 0.

Mirela Milori: Ana Pertena që kishim në studio mori përsipër diçka. Ku shkoi si proces? Ndarja e pronësisë, banesa sociale, si shkoi?

Zonja X: Nuk mund të ndahet banesa se është pronësi e bashkisë.

Mirela Milori: Po, por bashkia duhet të të fusë diku tjetër.

Zonja X: Kam bërë edhe një përpjekje, dola me qira, më thanë do dalësh e pastrehë, dola e pastrehë, shkoja prapë çdo ditë në Bashki, nuk më dhanë zgjidhje. I nxora edhe fëmijët të pastrehë, më thanë do bësh kërkesë për kompensimin e qerasë se kam 3 vjet me qera,e bëra me një pjesëtar të familjes që ka emigruar, nuk ma pranuan në këshill.

Mirela Milori: Nuk more një bonus qeraje, e pagove vetë. Të dhanë arsye, nuk plotësoje kriteret apo çfarë?

Zonja X: Arsyeja është që është pjesëtari i familjes dhe nuk duhej bërë, nuk e pranon këshilli bashkiak.

Mirela Milori: Tani, aktualisht ku po jeton?

Zonja X: Në një banesë me qera.

Mirela Milori: Po atë banesën e ke lënë? Jeton ish-bashkëshorti në atë banesë?

Zonja X: Atje është vetë, unë kam dalë me qera.

Mirela Milori: Po pse nuk iku ai dhe të qëndroje ti me fëmijët atje?

Zonja X: Pikërisht thelbi këtu është: pse nuk iku ai. Gjykata nuk shkon drejt siç e ka peshoren, por në të kundërt.

Mirela Milori: Po pse çfarë të tha gjykata, çfarë justifikimi të dha?

Zonja X: Gjykata ka marrë dy urdhra mbrojtjeje vjet në 2020 dhe më ka injoruar e më ka thënë që do rrijë ai në shtëpi.

Mirela Milori: Po pse?

Zonja X: Sepse “ai ka punuar dhe do të ikësh ti”.

Mirela Milori: Ti me fëmijët të dilnit dhe ai të qëndrojë. I the që 12 urdhra mbrojtjeje i kam unë nga ky, jo ky nga unë?

Zonja X: I thashë, nuk e morën për bazë.

Mirela Milori: Po merret sepse ligji thotë “në mënyrë automatike, ai që dhunon del nga banesa”. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë.

Zonja X: Ligji nuk funksionon, te mua jo dhe si mua mund të ketë shumë, por unë jam tërësisht e injoruar nga gjykata, nga policia, nga bashkia, nga të gjitha institucionet. Letrat e mia janë të Avokati i Popullit, e kam telefonuar dhe hiçasgjë, mori një nga këto të shoqatave dhe më tha “mos e telefono më avokaten”, nuk e telefonova më. Kam dërguar letra në Ministrinë e Drejtësisë, më kanë kthyer përgjigje para dy javësh.

Mirela Milori: Çfarë përgjigjeje të kanë kthyer?

Zonja X: Përgjigje “ashtu është vendimi i gjykatës”.

Mirela Milori: E kuptoj që mbi vendimin e gjykatës nuk dilet, gjykata si e justifikoi që ke dalë ti dhe fëmijët dhe banesën e mban personi që ka urdhra mbrojtjeje ndaj teje. Pra, banesa nuk është mbajtur nga ti që je viktimë bashkë me fëmijët, por është mbajtur nga dhunuesi. Si e justifikoi këtë?

Zonja X:Ti e ke gjetur zgjidhjen, ke ikur prej shtëpisë”, më kanë thënë. Unë i kam thënë “kam ikur prej shtëpisë, kam qenë e dhunuar, kam shmangur një vrasje dhe ju merrni vendim siç e ka ligji”. Nuk e kanë pranuar, megjithatë, nuk më linin as të flisja. /tvklan.al