Gjykata Federale e San Diegos ka dalë kundër vendimit të Presidentit Trump për të ndarë fëmijët e familjeve të emigrantëve. Padia u bë nga prokurorët e 17 shteteve.

Familjet e emigrantëve të jashtëligjshëm, që urdhri i presidentit amerikan Donald Trump i ndau nga fëmijët korrin fitoren e parë ligjore. Gjykata federale në San Diego të Kalifornisë vendosi ribashkimin e fëmijëve të moshave nga 5 deri 14 me prindërit brenda 30 ditëve.

Gjykata e konsideroi të jashtëligjshëm vendimin e Trump që synonte t’i jepte zgjidhje situatës së vlerësuar si kaotike nga qeveria federale. Por politika e ndarjeve të familjeve të emigrantëve në kufij po përballet me një tjetër proces gjyqësor. Prokurorët e përgjithshëm të 17 shteteve federale, mes të cilëve të Uashingtonit, Nju Jorkut, Kalifornisë e Pensilvanisë ngritën padi kundër vendimit presidencial. Sipas tyre, vendimi është plot paqartësi dhe nuk specifikon se mbi ç’baza është bërë ndarja apo si do të bëhet ribashkimi. Prokurorët thanë se urdhri i ka futur disa fëmijë në depresion dhe po shfaqin tendenca për vetëvrasje.

Prej muajit Prill, mbi 2300 fëmijë janë ndarë nga prindërit, pas urdhrit të përkohshëm të Trumpit që synonte dekurajimin e fluksit të emigrantëve të jashtëligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara. Por presidenti e tërhoqi urdhrin javën e kaluar, pas reagimit të fortë të opinionit publik.

Tv Klan