Dy shkallë të gjyqësorit në Tiranë kanë vendosur të pengojnë një hetim të Prokurorisë për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Në fillim Shkalla e Parë dhe më pas Apeli rrëzuan urdhërin e Prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e disa materialeve, si pjesë e një hetimi të nisur për shkak se Inspektoriati nuk kishte verifikuar pasurinë e asnjë zyrtari të lartë në dy vjet dhe nuk kishte bërë referime në organin e akuzës.

Më 7 Nëntor, Prokuroria e Tiranës sekuestroi disa dosje deputetësh dhe i kërkoi Inspektoriatit t’i niste edhe praktikat për vitet 2015 – 2016. Në kohën, kur hetuesit ishin në pritje të praktikave, institucioni që drejtohet nga Shkëlqim Ganaj depoziton në Gjykatën e Tiranës një ankim për heqjen e sekuestros.

Gjykatat i japin të drejtë, duke shënuar kështu rastin e parë në historinë e drejtësisë shqiptare që një hetim i Prokurorisë, organit të vetëm në Shqipëri të ngarkuar nga Kushtetuta për të kryer procesin hetimor, pengohet të ushtrojë funksionet me vendim gjykate.

ILDKPKI kishte ankimuar heqjen e sekuestros për regjistrat dhe të dhënat e serverit. Prokuroria ka këmbëngulur edhe në Gjykatë se kërkesa e saj për sekustrimin e kopjeve të regjistrave dhe të dhënave në server nuk e pengonte punën e institucioni. Arsyea pse kërkohej që të bëhej ky veprim hetimor ishte fakti për të patur një pasqyrim të punës së Inspektoriatit për dy vitet e fundit.

Kjo kërkesë është bërë pas dyshimeve se për dy vitet e fundit, ILDKPKI nuk ka vepruar siç duhet në disa raste të deklarimit dhe kontrollit të pasurive të zyrtarëve të lartë, duke mos proceduar me referime në Prokurori.

Prokurorët kanë argumentuar se fotokopjet e regjistrave dhe të dhënave të serverit u kërkuar me qëllim që t’u hiqej mundësia personave të tjerë të ndërhynin në këto dokumenta duke plotesuar të dhëna që mund të mungonin.

Prokuroria ka dyshime se zyrtarët e ILDKPI-së kanë shpërdoruar detyrën, pasi asnjë zyrtarë i lartë nuk ka qenë subjekt i një kontrolli nga ILDKPKI, ndonëse ligji parashikon që çdo dy vjet pasuria e këtyre zyrtarëve duhet të kalojë në sitën e Inspektoratit.

Me vendimet e tyre, Gjykata e Shkallës së parë dhe ajo e Apelit në Tiranë, e kanë vënë Prokurorinë e Tiranës në kushtet e pamundësisë për të hetuar mbi veprimet dhe praktikat e LKDIKPI –së, pavarësisht se ato mund të jenë në shkelje të ligjit.

Tv Klan