Vendimi i Gjykatës së Hagës që të mos ekstradojë Arben Frrokun në Shqipëri ka nxitur diskutime në Parlamentin holandez. Ministrit të Drejtësisë, Ferdinand Grapperhaus do t’i duhet të gjejë përgjigje për disa pyetje të deputetëve. Grapperhaus duhet të përgjigjet nëse e konsideron të gabuar këtë vendim të gjyqësorit holandez që nuk lejoi ekstradimin e Frrokut.

Gjykatësit që morën këtë vendim, cilësohen nga deputetët holandezë “të çmendur”, pasi “një vrasës i rrezikshëm shqiptar së shpejti do të lëvizë lirshëm në Holandë”. Zoti Grapperhaus pyetet nëse e di se është ministër i Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës, dhe “jo ministri i kriminelëve shqiptarë, të cilët po lirohen në sajë të avokatëve mashtrues”. Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e ish-shefit të policisë Dritan Lamaj, në shkurt 2013.

Në Prill 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli Frrokun të pafajshëm, por më pas Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi atë me burgim të përjetshëm në mungesë, pasi Frroku u arratis nga Shqipëria kur u shpall i pafajshëm nga Shkalla e Parë. Frroku u arrestua në Holandë më 28 Prill 2016, pas një kontrolli gjatë të cilit iu gjetën dokumente false. Gjykata e Hagës argumentoi se Frrokut i rrezikohet jeta, pasi dënimi ka prapavijë politike.

Klan Plus