Në 10 Shtator prokuroria lexon pretencën

Prokuroria do të lexojë masën e dënimit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në 10 Shtator. Akuza kërkoi dy javë kohë që të përgatisë pretencën, por duke qenë se në muajin Gusht fillojnë pushimet verore gjykata vendosi të shtyje seancën për në vjeshtë.

Po në këtë seancë gjykata vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar për ish-ministrin. Tahiri para këtij vendimi i kërkoi nga gjykata që çështja të mos shihej si procedurë pasi në lojë është jeta e tij. Në dalje nga gjykata ish-ministri paralajmëroi se 10 Shatori do të jete dita kur do të lexohet edhe mbrojtja e tij, ndërsa nuk la pa ironizuar edhe prokurorinë dhe shtyrjen e seancave.

“U shty herën e parë për çështje poste, u shty herën e dytë për çështje polici, herën e tretë për shkak të humbjes së letrave, herën e katërt për shkak se Gushti është pushim. Në vjeshtë nuk kam ngelur ndonjëherë. Nuk shkova unë në vjeshtë, shkoi prokuroria.Se kjo është edhe për gallatë tani. Kjo histori në fillimet e shtetit ka nisur me burra me mustaqe dhe ka përfunduar me burra me botox, unë nuk jam ky model.”

I njëjti vendim u mor edhe për ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela ,i cili ende është në kërkim nga policia. Për dy ish-vartësit e tij Gjergj Kohila dhe Sokol Bode u bë ndarja e çështjes për shkak se nuk është bërë i mundur njoftimi i tyre. Këta persona sipas Prokurorisë kanë favorizuar grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit nga Vlora drejt Italisë. Mbi ta rëndojnë akuzat e trafikut të drogës, grupit të strukturuar dhe kryerjen e veprimeve në kuadër të këtij grupi.

Tv Klan