Flakët e zjarreve që kanë përpirë sipërfaqe të mëdha pyjore në të gjithë vendin, prej pak javësH kanë ndodhur për shkak të temperaturave të larta, pakujdesive të vetë banorëve të zonave, barinjve apo personave që lëvizin në këto zona. Ky është konkluzioni që jep Drejtori i Sallës së Komandimit të Emergjencave Civile, Xhuvanaq Gjylameti.

Vetëm në 24 orët e fundit, Gjylameti thotë se kanë qenë 35 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Specialistët e Emergjencave Civile vazhdimisht qëndrojnë në kontakt me shërbimet Zjarrfikëse apo të Emergjencave Civile në terren për të njohur situatën.

Në ndonjë rast është kërkuar edhe ndërhyrja me helikopter.

Drejtori Gjylameti thotë se terreni i thyer dhe mungesa e mjeteve logjistike ka bërë që në shumë raste të kufizohet ndërhyrja. Ai bën thirrje që banorët dhe barinjtë e zonave të jenë më të kujdesshëm.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin ka pasur vatra zjarresh në Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër dhe Shkodër. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 175 forca zjarrfikëse me 30 automjete, 50 forca ushtarake si dhe 24 forca vullnetare. TV KLAN