Një urdhër që ndalon shërbimin e ambulancës për transport, ka alarmuar pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim. Rasti që denoncoi emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme vjen nga Elbasani.

Sanije Myftari iu drejtua emisionit “Stop” pasi ka të shoqin të paralizuar prej 5 vjetësh, ndërsa ka dy vjet që Emin Myftari trajtohet edhe me dializë. Nga Drejtoria e spitalit të Elbasanit i kanë thënë se nuk do ta ketë më shërbimin e ambulancës për transport. Por Sanija nuk kërkon para për këtë shërbim, pasi kjo nuk ia zgjidh hallin. Që nga data 15 Tetor, shërbimi i ka kaluar qendrës kombëtare të ugjencës, ndërsa urgjenca nuk trajton raste të tilla.

Sanije Myftari:

Emisionit “Stop” i jam drejtuar se kam burrin prej 5 vjetësh të sëmurë. Edhe 2 vjet ka që e dëmtoi diabeti, u paralizua dhe tani i bëj dializën këtu në spital, 3 herë në javë; të martën, të enjten dhe të shtunën. Tani e kam problemin se nuk më vjen ambulanca, do na i ndërpresin fare më datë 15. Tani unë çfarë do bëj? Ky s’më lëviz fare. Me çfarë ta çoj? Ky duhet me barrelë se është ambulanca që vinte ma merrte. Tani si do ja bëj? Me çfarë ta çoj? S’di ku ta zgjidh këtë! Apo të rri në shtëpi edhe të vdesi fare në shtëpi? Ne na është thënë që merreni me mjetin tuaj. Unë s’kam mjet! Le që dhe të kem, unë s’e fus dot. E kam thënë që në fillim nuk e dua pagesën e transportit se unë dua ambulancë, edhe ma dhanë. Shërbimin ma dhanë, kur erdha nga Tirana ma dhanë shërbimin e ambulancës. 15 Dhjetor do të ndërpritet fare.

Bashkëshorti i saj i sëmurë thotë se nuk është në gjendje të lëvizë dhe ai transportohet nga shtëpia në spital dhe anasjelltas vetëm me barelë. Emin Myftari kërkon vetëm t’i sigurohet shërbimi i ambulancës për transport, teksa thekson se ka punuar 40 vjet për këtë shtet.

Emin Myftari:

Gjendja ime është kjo që shikoni që unë nuk lëviz dot nga vendi. Përveç shërbimit të gruas, unë jam i mbaruar. Unë kam punuar 40 vjet për këtë shtet, ama mos kem një ndihmë sado pak të thjeshtë. Është gjynah të vdesi robi për një makinë.

Emisioni “Stop” mësoi gjithashtu se si z.Emin Myftari, janë edhe shumë pacientë të tjerë që preken nga heqja e shërbimit të transportit të ambulancës. Drejtori teknik i spitalit të Elbasanit, Luan Rrapi jashtë kamerave tregon se kjo është një situatë që duhet të marrë zgjidhje. Sikurse thotë edhe vet ai, ky është një shërbim që u takon me detyrim pacientëve, dhe jo për gjynah.

Gazetarja:

Qytetarët, që janë vetë, ose kanë të afërmit e tyre, që bëjnë dializë, ankohen për lajmin, që është dhënë, që pas datës 15 tetor, nuk do të ketë më ambulancë në shërbimin e tyre.

Drejtori Teknik:

Për mua, duhet dhënë zgjidhje urgjente! Pra, siç e ka marrë qendra, pra ajo 127-a, duhet të përgjigjet, si çdo pacienti tjetër! Aq më tepër, që gjithmonë të sëmurët e dializës, kanë qenë më afër për ndihmë, gjithmonë janë parë si primarë.

Drejtori Teknik:

Edhe unë vetë e shikoj si një zgjidhje provizore, që mund t’i kemi dhënë si drejtori, se kanë një muaj, që hajde të mos i lëmë.

Drejtori Teknik:

Duhet të bëhet një pikë marrëveshje nga ministria, që ka bërë këtë koncesionarin me privatin, duhet të zgjidhet në një formë.

Drejtori Teknik:

Nuk do ikim me fjalën më vjen gjynah! Atij i takon të marrë shërbimin. Finalen e presim nga ministria me privatin, që e ka marrë atë. Problemi është marrëveshja, sesi është marrëveshja për zgjidhjen e kësaj, kur ne kaluam në Urgjencën Kombëtare.

Drejtori Teknik:

Unë shoh, që zgjidhja përfundimtare do të vijë nga 127-a. Çdo urdhër nga 127-a.

Drejtori Teknik:

Nuk është, se është vetëm i Elbasanit, se e keni tek të gjithë. Detyrimisht do të merret një vendim, ose do të përgjigjet 127-a.

Ndërkohë, emisioni “Stop” kërkoi përgjigje edhe nga Urgjenca Mjekësore, e cila sqaron se të gjitha pacientët që marrin shërbimin e transportit përmes ambulancës, mund të telefonojnë në numrin 127, por që në fakt kjo përdoret për rastet e urgjencave.

Urgjenca Mjekësore 127:

Republika e Shqipërise, jeni në linjë me njësinë e koordinimit të Urgjencës Mjekësore.

Gazetarja:

Përshëndetje!

Urgjenca Mjekësore 127:

Përshëndetje!

Gazetarja:

Shërbimi i ambulancës i ka kaluar 127-ës dhe janë ata, që do vendosin, ku do shkojë ambulanca. Si do të veprohet, në rastet, kur qytetari kërkon shërbimin e ambulancës, për pacientin, që bën dializë?

Urgjenca Mjekësore 127:

Eshtë e vërtetë, që shërbimi paraspitalor i urgjencës, është nën menaxhimin e 127-tës.  Në rastet, që nuk përbën urgjencë mjekësore, nuk shkon ambulanca.

Gazetarja:

Si mund të veprohet në rastet, që personi mund të jetë i paralizuar?

Urgjenca Mjekësore 127:

Nuk jam unë personi kompetent për këtë. Personi mund të jetë i paralizuar, por është i paralizuar prej disa vitesh, nuk është urgjencë paraliza.

Urgjenca Mjekësore 127:

Gjithsesi, ju nëqoftëse doni informacion më shumë, mund ta kërkoni në mënyrë zyrtare pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës. Ky është numri i shërbimit.

Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra bëri apel që të nxirret një shkresë nga Ministria e Shëndetësisë që të urdhërohen ambulancat për t’u ofruar transportin pacientëve në nevojë.

/tvklan.al