Banda e pusit të Mezinit sot është paraqitur në bankën e të akuzuarve. Shpëtim Muka, Lulzim Kaja, Ervis Zanaj, të akuzuar për vrasje, krijim të bandave të armatosura dhe kryerje të krimeve kanë nisur procesin gjyqësor me prokuror Rrahim Xhanaj dhe gjyqtarin e çeshtjes Artan Zeneli.

Shpëtim Muka akuzohet nga prokurori Xhanaj për vrasjen e pesë fëmijëve romë në pranverën e vitit të kaluar në fshatin Levan. Për vrasjen e shtetasve Gëzim Veliu, Ardian Gjini si dhe të dy policëve Valter Harizaj dhe Simon Pekaj si dhe të taksistit Faik Droka. Ndërsa dy të tjerët akuzohen për bashkëpunim me Shpëtim Mukën në disa prej vrasjeve të mësipërme.

Avokati mbrojtës i Lulzim Kajës tha se klienti i tij nuk ka lidhje me akuzën dhe të akuzuarit e tjerë pasi ai që ka bashkëpunuar është Lulzim Haliraj i cili është person tjetër. Pas dorëzimit të certifikatës së lindjes të Lulzim Kajës gjyqtari Artan Zeneli ftoi për të dëshmuar dëshmitarët e thirrur nga akuza.

Dy dëshmitarët e vetëm që u paraqitën nuk dhanë asnjë përgjigje pasi sipas tyre nuk njihnin asnjë detaj mbi fajet e të akuzuarve. Pas kësaj drejtuesi i seancës gjyqësore Zeneli vendosi sjelljen me forcë të disa dëshmitarëve të tjerë të cilët janë dhe dëshmitarë okularë. Seanca gjyqësore u shty në një të rradhës pa caktuar një datë konkrete./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj