Avokati i kryebashkiakut: Nuk mbante mend shumë gjëra. Iu shmang pyetjeve

7 dëshmitarët e parë u paraqitën në Gjykatën e Posaçme në procesin që po zhvillohet në ngarkim të të pandehurit Fredi Beleri. I pari u thirr nga gjykata Arsen Rama, i cili u përdor si i infiltruar nga policia. Prokurorja, Dorina Bejko kërkoi që dëshmia e tij të dëgjohet me dyer të mbyllura. Kjo për faktin se ai është kërcënuar pasi policia e Vlorës ka referuar një informacion se makina e Ramës dhe bashkëjetueses, janë dëmtuar. Kërkesa e prokurorisë u pranua nga gjykata.

Arsen Rama qëndroi përballë gjykatës për gati një orë duke dhënë shpjegime të detajuara, ku nuk kanë munguar as diskutimet. Ish-shefi i komisariatit të Himarës, Ermal Ajdini ishte kërkuar si dëshmitarë nga të dyja palët si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja. Ajdini shpjegoi me detaje se si ra në gjurmët e informacionit për shitblerje votash dhe të gjitha veprimet që janë kryer nga grupi i vëzhgimit.

Ai theksoi se Arsen Ramën e ka njohur në Shkurt të këtij viti. Me të ishte takuar disa herë sepse kanë qenë pjesë e disa çështjeve të tjera. Oficeri i Policisë sqaroi se Rama e ka telefonuar në fund të Prillit dhe e ka vënë në dijeni se në Himarë po bliheshin vota për Fredi Belerin. Polica e ka verifikuar informacionin për një javë dhe ju ka rezultuar i vërtetë. Më pas Ajdini ka komunikuar me eprorët dhe kanë vënë në dijeni prokurorin e Vlorës. Organi i akuzës ka bërë një marrëveshje bashkëpunimi me Ramën, që ai të kryente veprimet stimuluese.

Ish-shefit të komisarjatit ju drejtuan disa pyetje edhe nga i pandehuri Fredi Beleri. Ajdini i sqaroi se të gjitha veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e prokurorisë së Vlorës. Beleri e pyeti edhe për listën me emrat e personave që ka dorëzuar Arsen Rama. Polici u shpreh se i infilturari ka dorëzuar listën që i kishte thënë Beleri në telefon. Përballë gjykatës dhanë shpjegime edhe çifti i bashkëshortëve Gligor dhe Matilda Mërkuri. Ata kanë pretenduar se u janë ofruar para nga Niko Panajoti që të votonin për Belerin. Sipas tyre, paratë nuk i kanë marrë sepse nuk kanë shkuar për të votuar.

Sekretarja e zyrës së shtabit elektoral të Fredi Belerit, Eleni Isaraj shpjegoi se zyrën e ka mbajtur ajo të hapur, por pretendon se nuk e mban mend asnjë person me emrin Arsen. Prokuroria bëri kundërshtim të pjesshëm të dëshmisë. Sipas organit të akuzës, kur është pyetur nga agjentët e BKH, ajo ka treguar se në zyrë ka pasur edhe persona të tjerë. Pas daljes nga gjykata avokati i Fredi Belerit, Edmond Demo tha se i infiltruari i policisë nuk mbante mend asgjë.

Pas përfundimit të dëshmive gjykata vendosi thirrjen e dëshmitarëve të tjerë të prokurorisë dhe e shtyu seancën për një datë tjetër.

Klan News