Emiljano Shullazi nuk ishte i pranishëm në seancën e kësaj të marte, ku ishte thirrur për të dëshmuar ish – kreu i Hipotekave, Ilirjan Muho.

Muho i tha gjykatës se është takuar me Ylvi Beqjan dhe Emiljano Shullazin, të cilët i janë prezantuar si bashkëpronarë të ish – hotel “Vollgës”. Në takim është diskutuar për pronësinë e objektit, pasi Hipoteka kishte vendosur për ta pezulluar procedurën për 30 ditë, me argumentin se një palë tjetër kishte shfaqur pretendime në Gjykatën e Lartë.

Ish – Kryeregjistruesi sqaroi para togave të zeza se ka pirë një kafe me ta në një lokal në zonën e “Parkut të Autobusëve”. Më pas, Ylvi Beqja ka shkuar në zyrën e tij, së bashku me dokumentet dhe ka qenë zyra juridike ajo që është marrë me dosjen.

Në këtë seancë dëshmoi edhe Fehmi Zaka, babai i Jani Zakës, i cili sipas prokurorisë është kërcënuar nga Emiljano Shullazi dhe grupi i tij, duke i vendosur tritol në parkimin e tyre.

Por 74 – vjeçari pohoi në gjykatë se nuk i njeh asnjë nga ata dhe se problemin për pronësinë e një parkimi në Tiranë e kishte me ndërtuesin Fatmir Sinani.

Prokurori kundërshtoi dëshminë e tij, pasi në hetimet paraprake, Fehmi Zaka ka deklaruar se djali i tij është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, i cili i ka kërkuar ta kalojë pronësinë e parkimit në emër të të pandehurit Blerim Shullazi.

Tv Klan