“Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, edhe pse zhvillon seanca gjyqësore prej 7 muajsh për Emiljano Shullazin dhe 4 bashkëpunëtorët e tij, ende nuk ka mundur të hapë shqyrtimin gjyqësorë. Seanca e kësaj të hëne u shty për shkak të mungesës së avokatëve kryesisht të vendosur për kete cështje.

Pas disa seancash, trupa gjyqësore ishte plotësuar, pasi gjykatësit Arben Vrioni i përfundoi raporti mjekësor. Por të pandehurit kërkojnë përjashtimin e tij, për shkak se ai ka konflikt interesi. Vrioni ka gjykuar një nga proceset në Gjykatën e Durrësit, ku objekt ka qenë pronësia e ish-hotel Vollgës. Gilmando Dani, një nga të pandehurit e dosjes, iu drejtua me tone paralajmëruese gjyqtarit në sallë.

“I nderuar nuk mund të lahesh me dosjen tonë, sepse je shumë pis. Ta bëje vetë dorëheqjen, pa dalë gjë”

Në kushtet kur të pandehurit nuk kishin mbrojtës, gjykata shtyu seancën për në datën 26 Korrik, ku janë thirrur edhe avokatët e tyre.

Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endri Zela, Endri Qyqja dhe Blerim Shullazi u dënuan me 55 vite burg nga Shkalla e Parë. Ata akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe marrjen e 30% të ish-hotel Vollgës në Durrës. Këto veprime, sipas prokurorisë, ata i kanë kryen në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Tv Klan